Hoxhaj takohet me Bashën, ka një kërkesë për Shqipërinë lidhur me Gjykatën Speciale

Kandidati për kryeministër nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, përgjatë takimit në Shqipëri me kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka thënë se pjesë e diskutimit të përbashkët është Gjykata Speciale dhe ka shtuar se Kosova dhe Shqipëria duhet të kenë qëndrime të njëjta karshi saj.

Hoxhaj ka deklaruar se, në të ardhmen, kundërshtarët mund ta përdorin Specialen si argument kundër shtetit të Kosovës.

“Asnjëherë nuk kisha menduar që në vitin 2020 Kosova e pavarur do ta kishte një vit të vështirë, në të cilin vit, krahas pandemisë, krizës ekonomike, Kosova mori edhe një goditje nga Gjykata Speciale. Kjo ka qenë temë e diskutimit tonë të përbashkët. Ne mendojmë që faktori politik në Shqipëri, duhet të jap mbështetje sa më të madhe shokëve tanë në Hagë. Jemi mirënjohës për qëndrimet që kanë mbajtur deri më tash, por kërkojmë që edhe në të ardhmen të ketë një konsistencë të tillë”, ka deklaruar ai.

Tutje, ai ka folur edhe për zgjedhjet që do të mbahen në Kosovë, teksa është shprehur optimist se aid he partia e tij do jenë pjesë e legjislaturës së ardhshme.

“Jam i sigurt që PDK do të udhëheqë qeverinë e ardhshme të Kosovës. Kam qenë gjatë në pozita të ndryshme në Kosovë, qëllimi im është që të kem një mendim të ri dhe plan të ri strategjik në raport të Shqipërisë, se nuk mund të sillemi me parametra të 2008-ës se çka të bëjmë në 2020. Do të kem po ashtu propozime konkrete që të kem një integrim të mirëfilltë të ekonomisë në Kosovë dhe në Shqipëri”, shtoi ai.