Enver Hoxhaj

Hoxhaj: Paqja në Ballkan po kërcënohet për shkak të mospërmbylljes së plotë të konflikteve në rajon

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se paqja në Ballkan është duke u kërcënuar për shkak të mospërmbylljes së plotë të konflikteve brenda rajonit.

Ai ka thënë se kërcënimi po vjen nga Serbia hegjemoniste dhe për këtë ka përmendur veriun e Kosovës, tensionet në Bosnjë dhe Kishën serbe në Mal të Zi.

“Dilemat e sigurisë dhe kërcënimi i paqes në Ballkan, nuk janë rikthyer vetëm për shkak të luftës në Ukrainë, por janë pasojë e mospërmbylljes së plotë të konflikteve në rajon! Paqja po kërcënohet për shkak të shovenizmit serb dhe politikës hegjemoniste, sikurse tregojnë ngjarjet në veri të Kosovës, tensionet në Bosnje dhe ballafaqimi i ri me Kishën serbe në Mal të Zi”, tha ai gjatë Konferencës Ndërkombëtare të Lidershipit në Tiranë.

Hoxhaj shtoi se konfliktet do të evitohet kur Kosova të anëtarësohet në OKB, në BE si rajon dhe me Bosnjën në NATO.

“Përmbyllja e shtetësisë së Kosovës me anëtarësim në OKB, përshpejtimi i integrimit evropian të rajonit dhe anëtarësimi në NATO i Kosovës dhe Bosnjës janë gurthemele për evitimin e konfliktit në Ballkan”, theksoi Hoxhaj.