Deputeti dhe anëtari i kryesisë së PDK-së, Enver Hoxhaj, në DESK të KTV-së ka thënë se Qeverisë i janë lënë 470 milionë euro në rezervat shtetërore, kur e dorëzuan qeverisjen. Këtë e ka pohuar teksa ka numëruar ato që i ka quajtur “dështime të Qeverisë për t’u marrë me tema të mëdha”.
“Për shembull, Qeveria del me plan të plotë se çfarë të bëjë me menaxhimin e situatës të pandemisë gjatë 4-5 muajve të ardhshëm. Rezervat e buxhetit, me sa e di unë, kanë qenë 470 milionë euro kur e kemi dorëzuar Qeverinë. Për këtë mund të japë kontribut edhe Bedri Hamza, ish-ministër i Financave. Ne e dijmë se rezerva shtetërore ka pasur një shumë të mirëfilltë”, ka thënë ai.
Hoxhaj po ashtu i është përgjigjur pyetjes nëse ka pasur përpjekje nga LVV-ja për t’iu çasur PDK-së. Ka thënë se mund të ketë pasur komunikime mes kryetarit të partisë së tij me subjektet tjera politike. Por, ka shtuar se ka dallime të mëdha midis dy partive.
“Me Vetëvendosjen kemi dallime të mëdha dhe ato nuk tejkalohen shpejt. Përvoja e këtyre 50 ditëve tregon që partneriteti mes partive politike është problem”, ka thënë ai.
Hoxhaj po ashtu e ka kritikuar programin e shpalosur nga Kurti në Kuvend. Pjesën e Politikës së Jashtme e ka quajtur “tekst të shkollës së mesme”. Ka shtuar se nga Qeveria ka pritur të merret më shumë me tema të mëdha.







