Hoxhaj i reagon Federatës së Futbollit të Spanjës: Kosova është vend i pavarur, presim reagimin e UEFA-s

Enver Hoxhaj, ushtrues i detyrës së kryetarit të PDK’së i ka reaguar Federatës së Futbollit të Spanjës.

Federata e Futbollit të Spanjës i është referuar Kosovës si territori i Kosovës, kur ka paralajmëruar zbulimin e listës për tri ndeshjet e marsit.

Hoxhaj pret reagimin e UEFA’s derisa kujton se Kosova është vend i pavarur.

“Të zhgënjyer me sjelljen destruktive të Spanjës ndaj Kosovës edhe kur bëhet fjalë për sport. Kosova është vend i pavarur dhe sovran dhe ky fakt nuk do të zvogëlohet nga kjo lloj sjellje. Pres reagimin e duhur nga UEFA”, shkroi ai në Twitter.

Spanja e Kosova takohen më 31 mars në Seville në kuadër të eliminatoreve për Botërorin 2022.