Hoxha: Jemi para fazës së shkatërrimit të marrëveshjes dhe jo para fazës së avancimit të saj

Analisti Ylli Hoxha, ka thënë se ka indikacione që Serbia nuk do të shkojë më tutje në zbatim të marrëveshjes dhe do të bëjë që gjithçka të bie.

Një ditë para takimit dhe përballjes së madhe në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, Hoxha mendon se “jemi para fazës së shkatërrimit të marrëveshjes dhe jo para fazës së avancimit të saj”.

“Në fund të fundit do të ketë një draft evropian. Edhe Drafti i BE-së nuk do të jetë sipas shijes tonë. Do të ketë përmbajtje të ngjashme me atë të 2013-2015, do të ketë autonomi. Në dy-tri javët e fundit kemi hyrë në një situatë abnormale”.

Kështu është shprehur Hoxha në emisionin “Debat Plus’, në RTV Dukagjini, ku po diskutohet për dilemat e Statutit të Asociacionit.

“Ka paralajmërime serioze nga analistë që janë të afërt dhe njohës të mirë të tri shteteve, Britanisë, SHBA-ve, Gjermanisë në 5 ditë e fundit të cilët po thonë se indikacionet janë se Serbia nuk do të shkojë më tutje në zbatim të marrëveshjes dhe do të bëjë gjithçka që marrëveshja të bie. Nëse thonë burime goxha serioze, që Serbia po bën devijime serioze dhe shenjat që jep Serbia janë të tilla, atëherë mendoj që jemi para fazës së shkatërrimit të marrëveshjes dhe jo para fazës së avancimit të saj”, ka thënë Hoxha.