BE

Hoxha: BE-ja u tregua e padrejtë për vizat

Të martën e ardhshme presidencën e Bashkimit Evropian do ta marrë Rumania, shtet ky që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe e pengon vendin të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare. Përgjatë periudhës gjashtëmujore sa ky shtet do ta ketë presidencën e BE-së Kosova do ta ketë shumë të vështirë përparimin në procesin e liberalizimit të vizave, shkruan gazeta “Zëri”.

Ministrja Hoxha insiston se Bashkimi Evropian është treguar i padrejtë me Kosovën, pasi që kjo e fundit, sipas saj, i ka plotësuar të gjitha kriteret, mirëpo nuk i është dhënë “drita e gjelbër” për heqjen e vizave.

“Që nga marrja e Udhërrëfyesit, më 2012-n, liberalizimi i vizave është trajtuar me prioritet në të gjitha nivelet e institucioneve të Kosovës. Faktorët relevantë të BE-së, nga Parlamenti Evropian, Komisioni Evropian dhe Këshilli Evropian, si dhe të gjithë komisionarët që janë marrë me çështjen e liberalizimit, kanë konfirmuar procedurat dhe të arriturat tona. Të gjithë, pa dallim, kanë konfirmuar se ne i kemi plotësuar të gjitha kushtet për liberalizim, andaj ky vendim për mostrajtim të liberalizimit të vizave në dhjetor ishte një padrejtësi e madhe”, ka thënë ajo për “Zërin”.

Ajo e ka quajtur paradoksal sjelljen e BE-së kundrejt heqjes së vizave të Kosovës.

“Ishte padrejtësi për shumë arsye, sepse pritjet tona kanë qenë të bazuara në fakte, në të arriturat tona, por edhe në parimet me të cilat vepron Brukseli. Ne e shohim si veprim paradoksal mosliberalizimin e vizave, sepse vetë lëvizja e lirë është ndër të arriturat më të mëdha të BE-së, andaj të mbetet Kosova në geto është më shumë se padrejtësi. Këtë në asnjë mënyrë nuk e kemi pritur, sepse realizimi i obligimeve të ndërsjella është thelbësore për vlerat që ushqen, manifeston dhe aplikon BE-ja”, ka theksuar ajo.

Ndërkohë, lidhur me hapat që do të ndërmarrë Ministria gjatë vitit të ardhshëm Hoxha ka thënë që do të vazhdojë lobimi te shtetet e BE-së për heqjen e vizave.