Jeffrey Hovenier

Hovenier kërkon prej KPK-së proces të drejtë në përzgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit për ta kthyer besimin e ndërkombëtarëve

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka deklaruar sot se Këshilli Prokurorial i Kosovës duhet të ndërmarrë hapat e nevojshëm për përzgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit, në përputhje me standardet e qeverisjes së mirë, për të rikthyer besimin e publikut dhe partnerëve ndërkombëtar në KPK si institucion publik.

Ai i ka bërë këto deklarata në konferencën vjetore të prokurorit të shtetit, ku tha se këtë kërkesë e ka bërë edhe para dy vjetësh dhe se i vjen keq që po duhet ta përsërisë. Ai ka kërkuar nga Këshilli Prokurorial që të sigurojë një proces të drejtë, transparent, meritor për përzgjedhjen e Kryeprokurorit të ardhshëm të shtetit.

“Më duket se para dy vitesh, kam qenë po në këtë podium, në këtë konferencë dhe kam kërkuar nga Këshilli Prokurorial që të sigurojë një proces të drejtë, transparent, meritor për përzgjedhjen e Kryeprokurorit të ardhshëm të shtetit. Do ta bëj të njëjtën kërkesë dhe më vjen keq që po e bëj dy vjet më vonë, por qeveria ime beson se KPK duhet të ndërmarrë hapat e nevojshëm për të vepruar në përputhje me standardet e qeverisjes së mirë dhe për të kthyer besimin e publikut dhe parterëve ndërkombëtarë në KPK si institucion publik. Nuk ma merr mendja që kam nevojë të them më shumë për këtë, por ju inkurajoj që të punoni shumë për të krijuar një kulturë të llogaridhënies dhe profesionalizimit në cdo zyre tuaj”, ka deklaruar ambasadori amerikan.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nuk e ka dekretuar Blerim Isufajn në postin e Kryeprokurorit të Shtetit, me arsyetimin se janë gjetur disa shkelje ligjore në procesin e përzgjedhjes.

Osmani kishte thënë se për çështjen e kryeprokurorit është përballur me presione të paligjshme.

“Ka pasur njerëz që dërgonin mesazhe se ‘në qoftë se nuk e dekreton, do të vëmë dosje, do të ngremë aktakuza’”, tha Osmani, duke e cilësuar si “shqetësuese” idenë që personat brenda sistemit mund ta kërcënojnë presidenten e vendit për një çështje.

“Shumica e shkeljeve, që janë pjesë e vlerësimit të Presidencës janë konstatuar edhe përgjatë procedurës dhe janë bërë publike nga organizatat monitoruese të shoqërisë civile si dhe nga ambasadat e SHBA-së, Gjermanisë dhe Zyra e BE-së”, kishte deklaruar Presidentja.

Por, KPK’ja e ka dërguar sërish emrin e Blerim Isufajt për dekretim.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian, në veçanti Gjermania, e kishin konsideruar befasuese, zhgënjyese dhe shqetësuese, mënyrën se si Këshilli Prokurorial e kishte zgjedhur Blerim Isufajn për Kryeprokuror të Shtetit më 6 prill 2022. Këshilli Prokurorial i Kosovës e kishte votuar unanimisht Blerim Isufajn për ta pasuar Aleksandar Lumezin në pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit. Kur Lumezit i përfundoi mandati shtatëvjeçar, KPK e pati caktuar Besim Kelmendin ushtrues detyre të Kryeprokurorit të Shtetit.

Në garë për postin e Kryeprokurorit të Shtetit, përveç Blerim Isufajt, kanë qenë edhe Armend Hamiti, Lulzim Sylejmani, Shqipdon Fazliu dhe Kujtim Munishi.

VIDEO BONUS: Marrëveshjet ndërkombëtare, Kusari-Lila: Jemi në koordinim me opozitën për votim