Hoti: Video e VV-së fashizëm e shpifje për të nxitur urrejtje që pamundëson unitetin politik

Ish-kryeministri i Kosovës, aktualisht deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti ka reaguar pasi Lëvizja Vetëvendosje ka publikuar një video nëpërmjet të cilës akuzon partitë opozitare dhe bizneset.

Hoti në një postim në rrjetin social “Facebook”, ka shkruar se sjellja e partisë në pushtet, me video montazhe plot shpifje, është fashizëm politik.

“Në kohën kur duhet punuar në krijimin e unitetit politik për sfidat që na presin, këta duan t’i ikin përgjegjësisë. Në kohën kur delegacioni i lartë i partnerëve kryesorë të Kosovës zbarkon në Prishtinë, me të cilët duhet të ulen e të dakordohen të gjitha partitë politike, këta të pabesë nxisin urrejtje politike dhe pamundësojnë koordinimin e nevojshëm politik”, ka shkruar ai.

Postimi i plotë i Hotit, pa ndërhyrje:

Sjellja e partisë në pushtet, me video montazhe plot shpifje, është fashizëm politik — urrejtje e tjetrit vetëm se i përket një grupi tjetër politik. Fundi i çdo lloj fashizmi dihet.

Në kohën kur duhet punuar në krijimin e unitetit politik për sfidat që na presin, këta duan t’i ikin përgjegjësisë. Në kohën kur delegacioni i lartë i partnerëve kryesorë të Kosovës zbarkon në Prishtinë, me të cilët duhet të ulen e të dakordohen të gjitha partitë politike, këta të pabesë nxisin urrejtje politike dhe pamundësojnë koordinimin e nevojshëm politik.

Propaganda shpifëse dhe mashtrimi nuk po kryjnë punë më. Fundin e keni prekur tashmë.