Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se organet përkatëse janë angazhuar për të hetuar rastin e djeshëm në Karaçevë, ku 11 pjesëtarë të xhandarmërisë serbe janë futur në territorin e Kosovës.

Hoti ka thënë se së shpejti do të kenë në dorë edhe një raport të detajizuar për këtë rast.

Ai ka siguruar banorët e Karaçevës se ata nuk do të jenë pa mbrojtje të institucioneve.

“Lidhur me atë që ka ndodhur dje në Karaçevë, janë angazhuar të gjitha organet përkatëse për të vlerësuar rastin. Shpejt do të kem një raport të detajizuar. Qytetarët tanë në atë pjesë nuk do të jenë pa mbrojtje të institucioneve. Veprimet tona do të jenë në përputhje me kushtetutën dhe ligjin, si dhe të koordinuara me të gjithë mekanizmat e sigurisë në vend”, ka shkruar ndër të tjera Hoti.

Kujtojmë se kjo nuk është hera e parë që ushtarët serbë në Karaçevë futen në territorin e Kosovës. Shqetësimet e banorëve për veprime të tilla të Serbisë kanë qenë të vazhdueshme.