Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, në një konferencë për medie ka thënë se rastet e reja me koronavirus po rriten shkaku i pakujdesisë së qytetarëve.
Hoti theksoi se një faktor tjetër që po ndikon në rritjen e numrit të rasteve është edhe mbajtja e disa protestave, të cilat sipas tij, po mbahen pa paralajmëruar Policinë e Kosovës.
Si pasojë e gjendjes së rënduar me koronavirus në Kosovë, sot Hoti ka mbajtur takim me Komitetin për Koordinimin dhe Vlerësimin e Situatës Emergjente nga COVID-19.
Vetëm gjatë 24 orëve të fundit, Instituti Kombëtar i shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar se janë konfirmuar 237 raste të reja me koronavirus dhe kanë vdekur 5 pacientë të infektuar.







