Kryeministri Avdullah Hoti sot ka folur për dialogun me Serbinë, me ç’rast ka thënë se marrëveshja finale do të jetë mbi bazën e Kushtetutës dhe që të ndodhë njohja reciproke mes dy shteteve.
Ai në diskutimin “Cila është platforma e Qeverisë së Kosovës në dialogun me Serbinë?” të organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka thënë se nuk i di prapaskenat e dialogut dhe se nuk do të flitet për shkëmbim të territoreve.
“Nuk jam prej personave që kam marrë më përpara pjesë në proceset e dialogut, si di prapaskenat e këtij procesi, kam kërkuar nga partnerët tanë në ditën e parë të të detyrës në telefonatat në Berlin Paris, Uashingon, Brukel, kam kërkuar si kryeministër të di ku ka arritur procesi. Përgjigja e tyre ka qenë se nuk ka arritur askund, dhe se do të uleni si dy shtete të pavarura që do të negocioni për një marrëveshje gjithëpërfshirëse që çon te njohja reciproke”, tha Hoti
Ai tha se për të si kryeministër siç i quajti ai konspiracionet për harta e shkëmbim të territoreve janë ireleavante dhe nuk do të jenë pjesë e diskutimeve në këtë proces.
Hoti tha se ai ka mandate të negocioi vetëm mbi bazën e Kushtetutës, e cila tha se i jep udhëzime të qarta si ta udhëheq këtë proces.
“Marrëveshja duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën. Të gjithë partnerët e konfirmojnë që Kosova të ulet për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve. Dialogu tash zhvillohet për njohje reciproke dhe si derivat edhe për normalizim të marrëdhënieve”, tha Hoti.
Kryeministri tha se pas nënshkrimit të marrëveshjes finale me Serbinë menjëherë duhet të ndodh njohja reciproke, njohja nga 5 vendet e BE-së, anëtarësimi në OKB si çdo vend tjetër, shfuqizimi i rezolutës 1244 dhe të ecet tutje në procedurat e integrimit euroatlantik.
Hoti tha se ndër objektivat në këtë marrëveshjen gjithëpërfshirëse me Serbinë duhet të adresohen të gjitha çështjet e hapura me Serbinë, nga të pagjeturit, pensionet, artefaktet, e plotë çështje tjera.







