Hoti: Nesër të votohet rezoluta që e ndalon lojën e Thaçit

Shefi i Grupit Parlamentar i LDK’së, Avdullah Hoti, thotë se partia e tij pret që nesër gjatë seancës së jashtëzakonshme të votohet rezoluta, ku kërkohet që në dialogun me Serbinë askush të mos ketë të drejtën të diskutojë për lëvizjen e kufijve.

Hoti ka shkruar në Facebook se përmes kësaj rezolute po provojnë që të ndalin Presidentin Hashim Thaçi që të luaj me shtetësinë e Kosovës.

Shkrimi i plotë i Hotit:

Ne presim që nesër në seancën e jashtëzakonshme të miratohet rezoluta “se askush nuk mund të negociojë për territorin e Kosovës”. Kjo është vija e kuqe më e rëndësishmja në procesin e dialogut me Serbinë.

Në deklarimet publike të gjitha grupet parlamentare janë shprehur KUNDËR që territori i Kosovës të jetë pjesë e dialogut. Ne ftojmë të gjitha grupet parlamentare të jenë në seancë dhe të mbështesin këtë rezolutë.

Ne dëshirojmë që përmes kësaj rezolute të dërgojmë mesazh tek partnerët tanë ndërkombëtarë se qytetarët e Kosovës nuk kanë vullnet të negociojnë për territorin e Kosovës.

Ne dëshirojmë ta ndalim përfundimisht Presidentin që të luajë çdo ditë me ndjenjat e qytetarëve të Kosovës për shtet të pavarur, sovran dhe të pacenueshëm në tërësinë territoriale të tij.