Kreu i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri ka qenë një nga kritikuesit më të mëdhenj të Qeverisë Hoti, sidomos të disa vendimeve që janë marrë për menaxhimin e pandemisë.
Haziri kishte deklaruar se nuk beson në Qeverinë Hoti, e qeverisjen e tij e kishte quajtur katastrofale.
Këto qëndrime të tij janë parë si përplasje brenda nënkryetarëve të LDK’së.
Megjithatë, kreu i Qeverisë, Avdullah Hoti nesër do ta vizitojë komunën që udhëheq Haziri.
Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi për media.
Hoti do të qëndrojë në Gjilan së bashku me Ministrin e Infrastrukturës, Arban Abrashin.
Hoti dhe Abrashi së bashku me Hazirin do të marrin pjesë në fillimin e punimeve në hyrjen e Gjilanit.
“Të enjten (30.07.2020), kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, bashkë me ministrin e Infrastrukturës, Arban Abrashi dhe kryetarin e Gjilanit, Lutfi Haziri, do të marrin pjesë në fillimin e punimeve në rrugën N25.2 – Hyrja e qytetit të Gjilanit”, thuhet në njoftim.







