Kryeministri i Kosovës

Hoti në Samitin e Parisit: Territori i Kosovës dhe Kushtetuta të paprekshme, marrëveshja finale për njohje dhe karrige në OKB

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, sot ka marrë pjesë në Samitin e Parisit që është organizuar nga Merkel dhe Macron përmes një video-samiti.

Në fjalën e tij, kreu i Qeverisë së Kosovës ka prezantuar tri parimet kryesore, në të cilat thuhet se integriteti territorial i Kosovës është i pacenueshëm dhe s’mund të jetë pjesë e negociatave, rendi kushtetues i Kosovës nuk mund të preket dhe se marrëveshja finale me Serbinë duhet të jetë në përputhje të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Gjithashtu, kreu i Qeverisë ka thënë se marrëveshja finale Kosovë-Serbi duhet të ketë si rezultat edhe fitimin e ulëses në OKB për Kosovën.

Përveç kësaj, Hoti ka thënë se duhet të zgjidhet edhe fati i personave të pagjetur dhe të vendoset drejtësi për të gjitha viktimat e të gjitha formave të dhunës që janë ushtruar nga Serbia gjatë luftës.

Hoti ka thënë se mbi bazën e këtyre parimeve dhe synimeve, Kosova është e gatshme që të vazhdojë tutje dialogun.