Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, njëherësh edhe ish-kryeministër i vendit, ka kërkuar sqarim nga udhëheqësit qeveritarë për deklaratat e diplomacisë amerikane kundrejt njohjes reciproke Kosovë-Serbi.

Hoti, me anë të një postimi në llogarinë zyrtare të tij në ‘Facebook’ ka pyetur se çfarë ka ndodhur me raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që njohja reciproke nuk është më në qendër të marrëveshjes finale, shkruan Demokracia.

“Qeveritarët duhet t’i tregojnë popullit ku e kanë katandisur punën që e ka shtyrë SHBA-në — aleatin kryesor Kosovës — të deklarojë se nuk është koha për njohje nga Serbia”, ka deklaruar ai.

“Çfarë ka ndodhur në marrëdhëniet e Kosovës me SHBA-në që njohja reciproke nuk është më në qendër?!”, përfundon postimi i tij. /Demokracia.com/