Hoti i reagon ashpër Kurtit: Na prishe me aleatët me këtë rrugë pa kryer. Qeveria e re sa më parë

Anëtari i Kryesisë së LDK-së dhe ish zëvendëskryeministri i parë, Avdullah Hoti ka reaguar ashpër ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti lidhur heqjën e taksës ndaj Serbisë dhe vendosjes së reciprocitetit gradual.

Ai e ka quajtur këtë rrugë pa krye të Kurtit.

“Është tepër e nevojshme që sa më parë të kemi Qeveri të re të zgjedhur mbi parimet kushtetuese, që është e përgjegjshme karshi proceseve shtet-ndërtuese dhe besimplote karshi aleatëve tanë”, ka shkruar Hoti.

Postimi i plotë:

Rruga pa krye e z.Kurti nuk ka të ndalur. Aleatët tanë na kanë kërkuar tërë kohën që të besojmë në ta dhe në planin e tyre, duke hequr taksën pa kushte, në mënyrë që ta detyronin Serbinë të ndalonte fushatën kundër Kosovës, dhe atë në mënyrë të verifikueshme.

Aleatët tanë kërkonin kohë që të detyronin Serbinë të hiqte pengesat për lëvizje të lirë të qytetarëve dhe mallrave me Kosovën. Nëse këto pengesa nuk do të hiqeshin, atëherë aleatët do të mbështesnin Kosovën në vendosjen e masave të reciprocitetit.

Qasja konspirative nuk e la z. Kurti të gjykojë arsyeshëm në këto kërkesa të aleatëve tanë, duke dëmtuar kështu partneritetin tonë me ta, që detyrimisht qoi në shkarkimin e tij.

Tani, me këto veprime të njëanshme të Qeverisë së shkarkuar, Kosova e ka humbur shansin që heqjen e taksës ta përkthejë në mbështetje për Kosovën dhe presion mbi Serbinë nga aleatët tanë.

Është tepër e nevojshme që sa më parë të kemi Qeveri të re të zgjedhur mbi parimet kushtetuese, që është e përgjegjshme karshi proceseve shtet-ndërtuese dhe besimplote karshi aleatëve tanë.