Kryeministri Avdullah Hoti e ka dënuar ashpër sulmin e mbrëmshëm në Prizren ndaj infermierëve të emergjencës së Prizrenit. Ai ka thënë se mjekët dhe infermierët janë heronjt e kohës sonë.
“Ngjarja e mbrëmshme në Urgjencën e Spitalit të Prizrenit, ku familjarët kanë sulmuar fizikisht infermierët në detyrë është gjest i shëmtuar ndaj atyre që punojnë për të mbrojtur shëndetin dhe jetën e qytetarëve, përfshirë edhe të atyre që i kanë sulmuar. Mjekët, infermierët dhe tërë personeli mjekësor e mbështetës, gjatë këtyre muajve sa po përballemi me pandeminë Covid-19, kanë dëshmuar përkushtim të lartë që duhet vlerësuar, e jo sulmuar. Sulmet ndaj heronjve të kohës janë të turpshme dhe të pa pranueshme”, ka shkruar në Facebook, kryeministri Hoti.







