Holanda fiton grupin dhe avancon në raundin tjetër

Pa shumë telashe, Holanda ka shënuar fitore ndaj Austrisë, të enjten mbrëma në Amsterdam. Me fitoren e së enjtes, Holanda ka avancuar tutje në Euro 2020. Madje në raundin nokaut kalon si fituese e Grupit C, ku bëjnë pjesë edhe Ukraina e Maqedonia e Veriut.

Holanda më herët kishte fituar 3:2 ndaj Ukrainës dhe tani e ka mposhtur edhe Austrinë, ndonëse pa shumë shkëlqim.

Memphis Depay shënoi nga pika e bardhë për rezultatin 1:0 të Holandës. Ai shënoi në minutën e 11-të. Ishte penalltia e gjashtë e akorduar në Euro 2020 dhe vetëm e dyta e realizuar.

Në pjesën e dytë shënoi edhe Denzel Dumfries për fitore të pritur të Holandës. Dumfries shënoi në minutën e 67-të.

Më 21 qershor, Holanda takohet me Maqedoninë e Veriut në Amsterdam. Ndërsa Ukraina e Austria përballen në Bukuresht. Maqedonia e Veriut edhe me fitore eventuale ndaj Holandës do të mbetej e fundit në grup. Pra është pa gjasa për avancim tutje.

Në raundin e dytë tashmë kanë kaluar edhe Italia e Belgjika.