Emri i Antonio Contes gjatë kësaj periudhe është përmendur nga mediat edhe për të marrë drejtimin e Bayernit, pa harruar klubet e shumta në Itali që duan ish trajnerin e Chelseat.
Megjithatë e ardhmja e italianit nuk do të jetë në Gjermani dhe për të përgënjeshtruar këto zëra ka menduar vetë presidenti i klubit bavarez, Uli Hoeness.
Në një intervistë për mediat gjermane numri 1 i Bayernit ka thurur elozhe për trajnerin aktual Niko Kovac duke vlerësuar punën e këtij të fundit dhe duke e konfirmuar në një farë mënyre në stolin e bavarezëve edhe për sezonin e ardhshëm.
”Kur një trajner kap finalen e Kupës së Gjermanisë që në sezonin e tij të parë dhe është mes 4 skuadrave më të mira në Bundesligë do të thotë që ka bërë një punë të mirë. Nuk kemi asgjë për t’u qarë, nuk arrij ta kuptoj se ka akoma njerëz që e vendosin në diskutim të ardhmen e Kovac”, deklaroi Uli Hoeness.







