Presidenti i Bayernit, Uli Hoeness, është i famshëm për deklaratat e tij të bujshme, që shpesh shkaktojnë furtunë mediatike, ndërsa ditën e hënë ka lëshuar një tjetër kritikë.

Bayerni po mundohet të blejë sulmuesin anësor Leroy Sane, por Hoeness ka deklaruar se operacioni ka shumë pak gjasa të realizohet, duke akuzuar Manchester Cityn për këtë gjë.

“Nuk besoj se do të ndodhë, është thuajse e pamundur. Është problemi te shifrat, te Manchester City janë të çmendur. Nuk po luajmë me letra këtu, kemi mbërritur në limitin tonë duke ofruar 80 milionë euro dhe nuk do ta kalojmë këtë shifër”, tha Hoeness, duke sulmuar ashpër klubin anglez.

Sulmuesi 23-vjeçar shihet si një lojtar i denjë për Bayernin, tani që janë larguar Ribery e Robben, por Manchester City kërkon rreth 100 milionë euro, shifër absurde për një lojtar që në sezonin e fundit e humbi vendin e titullarit.