Historiania Teuta Shala-Peli sjell librin “Gjenocidi serb në rajonin e Pejës (mars-qershor 1999)”

Historiania Teuta Shala-Pele ka publikuar librin e saj më të ri “Gjenocidi serb në rajonin e Pejës.

Ky libër i kushtohet krimeve dhe masakrave të forcave serbe në rajonin e Pejës gjatë përiudhës mars-qershor të vitit 1999.

Për më shumë detaje rreth këtij libri i cili është botuar nga Instituti i Historisë së Kosovës, mund të mësoni në vazhdim të artikullit.

HYRJE

Objekt studimi i këtij libri janë krimet e forcave serbe në rajonin e Pejës respektivisht në Fushë të Pejës, Katund i Ri, Qyshk, Pavlan, Zahaq, Nakëll, Llabjan, Ramun, Leshan dhe Kliçinë, gjatë muajve mars, prill, maj dhe qershor të vitit 1999, duke përfshirë vrasjet e popullsisë civile shqiptare, si dhe format e tjera të dhunës të përdorura nga forcat serbe nga fundi i marsit 1999 përkatësisht nga 25 marsi e deri më 14 qeshor 1999. Edhe pse libri “Gjenocidi serb në rajonin e Pejës (mars-qershor 1999)”, synim kryesor ka vrasjet në masë të popullsisë civile, megjithate në momente të caktuara jemi ndalur edhe te format e tjera të krimeve dhe dhunës së ushtruar nga forcat serbe gjatë muajve mars-qershor 1999. Në këtë kontekst, kemi përmendur edhe rrahjet, plaçkitjet, dëbimet, burgosjet si dhe maltretimet e tjera më të cilat u përball popullsia civile në vendet të cilat janë objekt studimi i këtj libri. Struktura e këtij libri është konceptuar në tre krerë:

Kreu i parë: Aspekte të përgjithshme për personat e vrarë nga forcat serbe në rajonin e Pejës (mars-qershor 1999); trajton gjendjen e përgjithshme të krijuar në vendet në fjalë gjatë muajve mars-qershor 1999, ku si rrjedhojë e ndërhyrjes ushtarake të NATO-s në Kosovë, forcat serbe ushtruan dhunë duke vrarë, plagosur, burgosur, dëbuar me dhunë popullsinë cilvile nga Kosova.

Brenda kësaj pjese u kemi bërë një analizë edhe formave të dhunës që u përdorën në periudhën mars-qershor 1999 ndaj popullsisë civile shqiptare në rajonin e Pejës, konkretisht në pjesën e cila është edhe objekt i këtij studimi. Në kuadër të kësaj kemi trajtuar edhe dhunën e ushtruar ndaj fëmijëve, femrave, të moshuarve, po ashtu kemi analizuar edhe një dukuri të cilën forcat serbe e zbatuan më të madhe gjatë luftës në Kosovë 1998-1999, siç është vrasja në masë e familjeve, si dhe jemi ndalur edhe tek çështja e personave të pagjetur. Në kuadër të këtij kreu kemi dhënë edhe disa statistika për krimet e forcave serbe gjatë muajve mars-qershor 1999, duke nxjerrë numrin e personave të vrarë, ku për secilin muaj veç e veç kemi nxjerrë numrin e të vrarëve, si dhe kemi bërë një analizë dhe krahasim se si ndryshon numri i të vrarëve gjatë muajve në fjalë.

Kreu i dytë: Tipat, llojet dhe format e ndryshme të krimeve serbe në rajonin e Pejës (mars-qershor 1999); përfshinë vrasjet në masë si dhe të gjitha format e dhunës të ushtruara ndaj popullsisë civile shqiptare në Fushë të Pejës, Katund i Ri, Qyshk, Pavlan, Zahaq, Nakëll, Llabjan, Ramun, Leshan dhe Kliçinë, gjatë periudhës kohore mars-qershor të vitit 1999. Në brendësi të këtij kapitulli kemi përfshirë edhe dëshmitë e atyre personave që i përjetuan dhe ju mbijetuan krimeve që prezantohën në këtë monografi. Realisht pjesa kryesore e kësaj monografie është shkruar mbi bazën e deklaratave të atyre personave të cilët në cilësin e dëshmitarëve, arritën që nëpërmjet dëshmive të tyre të na ofrojnë një tablo të plotë për krimet dhe dhunën e ushtruar nga forcat serbe gjatë muajve mars-qershor 1999. Gjithashtu ndihmes të madhe për hartimin e këtij libri na kanë dhënë edhe procesverbalet e përpiluara me rastin e ekzaminimit dhe identifikimit të kufomave nga ekspertët ndërkombëtar dhe ata vendor, më anë të të cilave është argumentuar mënyra e vrasjes si dhe dhuna e ushtruar ndaj popullsisë civile shqiptare.

Kreu i tretë: Shënime biografike për personat e vrarë, dhe të pagjetur, mars-qershor 1999; përmban 160 biografi të shkurtëra për të gjithë personat e vrarë, dhe të pagjetur, në përjashtim të dy personave të cilët janë të pa identifikuar.

Libri “Gjenocidi serb në rajonin e Pejës (mars-qershor 1999)”, përmban edhe shtojcën në kuadër të të cilës janë prezantuar listat e personave të vrarë, plagosur dhe të pagjetur, mars-qershor 1999. Në të gjitha këto lista radhitja e personave të vrarë, plagosur dhe të pagjetur është bërë në radhë alfabetike.

Siç e përmendem edhe më lartë, në këtë monografi do të marrim në shqyrtim vetëm ato krime që forcat serbe i kryen gjatë periudhës mars-qershor të vitit 1999. Një përkufizim i tillë kohorë është bërë për faktin se dhuna dhe vrasjet në masë ndaj civilëve shqiptar në Kosovë në përgjithësi e më këtë rast edhe në Fushë të Pejës, Katund i Ri, Qyshk, Pavlan, Zahaq, Nakëll, Llabjan, Ramun, Leshan dhe Kliçinë, është përshkallëzuar sidomos gjatë muajve mars-qershor të vitit 1999 kohë e cila përkon me ndërhyrjen e NATO-s. Gjatë asaj kohe, saktësisht prej 25 marsit e deri më 14 qershor të vitit 1999, nga forcat policore e ushtarake serbe, në vendet të cilat janë objekt studimi i kësaj monografie në vazhdimësi janë kryer krime në shënjestër të të cilave ishin civilët shqiptar pa dallim moshe e gjinie.

Dhe krejt në fund, meqë jemi të shënimi i dy jubileve të rëndësishme 20 vjetori i çlirimit të Kosovës dhe 20 vjetori i ndërhyrjes së forcave të NATO-s, shpresojmë se hartimi i kësaj monografie do të jetë një kontribut modest lidhur me ndriçimin dhe argumentimin e krimeve serbe në Fushë të Pejës, Katund i Ri, Qyshk, Pavlan, Zahaq, Nakëll, Llabjan, Ramun, Leshan dhe Kliçinë, duke kujtuar me respekt të veçantë jo vetëm ata që u vranë por edhe ata që përjetuan dhe i mbijetuan dhunës, tmerrit dhe çfarëdo vuajtje tjetër të ushtruar nga forcat serbe, gjithashtu nderim dhe respekt edhe për të gjithë ata të cilët 20 vite më parë humbën më të dashurit e tyre.

PËRFUNDIME

Fundi i shekullit XX, ngërthen në vete periudhën më të nderë në historinë më të re të Kosovës, kohë kjo kur populli shqiptar i Kosovës u përball me dhunë të paparë të ushtruar nga Serbia, dhunë e cila filloj që të përshkallëzohet gjithnjë e më shumë gjatë viteve të 90-ta të shekullit XX. Gjatë këtyre viteve Serbia me politikën e saj gjenocidiale e asimiluese filloj që të ushtroj dhunë si në aspektin ekonomik, social, politik, arsimor e kulturor. Si pasojë e politikës serbe dhe synimeve të tyre, populli shqiptar i Kosovës filloj që të mobilizohet dhe gjithnjë e më shumë t’i kundërvihet politikës dhe synimeve tashmë të njohura serbe, përpjekj këto që rezultuan më shpërthimin e luftës në Kosovë në fillim të vitit 1998, luftë e cila i dha fund regjimit serb në Kosovë.

Në librin “Gjenocidi serb në rajonin e Pejës (mars-qershor 1999)”, trajtohët fundi i luftës në Kosovë, gjegjësisht koha e bombardimeve të NATO-s, kohë kur forcat serbe ushtruan dhunë dhe terror ndaj civilëve shqiptar. Për 78 ditë më radhë sa zgjatën bombardimet e NATO-s, forcat serbe në vazhdimësi kryen vrasje në masë, plaçkitën, dëbuan dhe maltretuan në forma të ndryshme popullsinë civile shqiptare në Kosovë. Më këtë dhunë të ushtruar nga forcat serbe u përball edhe popullsia civile shqiptare në rajonin e Pejës në përgjithësi, përfshi këtu edhe rajonin i cili është objekt trajtimi i kësaj monografie.
Në vendet e përfshira në këtë monografi: Fusha e Pejës, Katnud i Ri, Qyshk, Pavlan, Zahaq, Nakëll, Llabjan, Leshan dhe Kliçinë, krahasuar me vendet e tjera të komunës së Pejës, para ndërhyrjes së NATO-s, situata e përgjithshme ishte relativisht më e qetë, po ashtu edhe dhuna e ushtruar nga forcat serbe ishte në përmasa më të vogla. Vrasjet, maltretimet e shumta, dhuna në përgjithësi mori përmasa gjithnjë e më të mëdha sidomos pas ndërhyrjes së forcave të NATO-s me 24 mars 1999. Prandaj, që në ditët e para pas ndërhyrjes së NATO-s, forcat policore e ushtarake serbe shpeshëhere të shoqëruara edhe nga popullsia serbe vendase, vranë në masë popullsinë civile, qoftë gjatë dëbimit nga shtëpitë e tyre dhe deportimit për në Mal të Zi dhe Shqipëri, ashtu edhe atë pjesë të popullsisë e cila gjatë ndërhyrjes së forcave të NATO-s, 24 mars-12 qershor 1999, kishin mbetur në Kosovë.

Krimet që forcat policore e ushtarake serbe ushtruan, ndaj popullsisë civile në rajonin e Pejës në periudhën mars-qershor 1999 kishin si synim:

• Zhdukjën e familjeve të tëra, kjo dëshmohet me vrasjën e tre e më shumë anëtarëve të të njëjtës familje.
• Spastrim etnik, të cilin forcat serbe tentuan që ta realizonin më debimin e popullsisë civile shqiptare nga shtëpitë e tyre, dhe deportimin e tyre për në Shqipëri dhe Mal të Zi.
• Shkatërrimin e pronave dhe pasurisë nëpërmjet plaçkitjës, djegijes dhe demolimit të shtëpive.
• Plaçkitjën e civilëve shqiptar, duke u’a marrë më dhunë paratë, stolit, veturat si dhe gjërat e tjera më vlerë.

Gjatë muajve mars-qershor 1999, në Fushë të Pejës, Katund i Ri, Qyshk, Pavlan, Zahaq, Nakëll, Llabjan, Leshan dhe Kliçinë kemi identifikuar 162 civil të vrarë nga forcat policore e ushtarake serbe, prej të cilëve 161 ishin civil shqiptar dhe një i nacionalitetit boshnjak. Në bazë të kronologjisë vrasja e tyre ka ndodhur si në vijim: 25-29 mars janë vrarë 21 persona, 4 dhe 13 prill janë vrarë 3 persona, 2-29 maj janë vrarë 120 persona dhe prej 4-14 qershor janë vrarë 18 persona. Këto të dhëna tregojnë se muaji prilli ishte më me pak krime në krahasim me muajt tjerë, më tepër në këtë muaj kishte dëbim dhe plaçkitje të popullsisë civile shqiptare, ndërsa muaji maj ishte më i përgjakshmi, gjatë këtij muaji vetëmë më 14 maj në fshtrat Qyshk, Pavlan dhe Zahaq janë vrarë 73 persona.

Secili krim i kryer nga forcat serbe me 14 maj 1999 i kishte karakteristikat e veta, krimi në fshatin Zahaq për dallim prej krimeve në Qyshk dhe Pavlan, kufomat u morën dhe u dërguan në drejtim të panjohur, po ashtu u morën edhe persona të gjallë siç është rasti i Esma Demakut.

Duke u mbështetur në dëshmitë lidhur me krimet e forcave serbe ndaj popullsisë civile në vendet që trajtohën në këtë monografi mund të konkludojmë se në periudhën mars-qershor 1999, forcat serbe pothuajse në të gjitha krimet në përgjithësi ndaj popullsisë civile përdorën të njëjtën strategji të veprimit. Forcat policore e ushtarake serbe në shumë raste pasi i vrisnin popullësin civile, kufomat ose i digjnin, ose i largonin nga vendi i ngjarjes duke i dërguar në drejtime të panjohura për familjarët e të vrarëve, si pasojë e këtyre veprimeve edhe sot pas 20 viteve disa nga të vrarët gjatë muajve mars-qershor të vitit 1999 akoma figurojnë në listën e personave të pagjetur. Pothuajse të gjitha këto krime janë kryer në prezencë të familjarëve, kryesisht femrave, ka raste kur janë kryer edhe në prezencën e fëmijëve. Po ashtu viktima të krimeve serbe ishin edhe të moshuarit, femrat madje edhe fëmijët.

Struktura e të vrarëve i takon moshës 2-101 vjeç. Gjithashtu një pjesë të krimeve forcat serbe e kanë kryer në bashkëpunim me serbet lokal, të cilët më fillimin e luftës në Kosovë janë inkuadruar në masë të madhe në radhët e forcave serbe. Edhe njëhere po ritheksojmë se prej 25 marsit e deri më 14 qershor 1999 në Fushë të Pejës, Katund i Ri, Qyshk, Pavlan, Zahaq, Nakëll, Llabjan, Leshan dhe Kliçinë, nga forcat serbe u vranë 162 persona, nga këta 17 femra, 145 meshkuj, 7 fëmij, 7 persona akoma janë të pagjetur, si dhe 13 persona janë plagosur.

Dhe krejt në fund numri 162 në këtë monografi nuk është thjesht një numër, por më tepër se kaq, ky numrë simbolizon 162 persona të vrarë, 162 familje të lënduara, 162 krime serbe. Jo vetëm kaq secili numër është një histori në vete, pas secilit të vrarë fshihet një histori, dhimbje, trishtimi, dhune, tmerri e terrori. Janë 162 “zëra” që përcjellin një mesazhë dhe porosi për ne dhe gjenerata e ardhshme, se për lirinë u dha dhe u sakrifikua çdo gjë madje nuk u kursye as më e çmuara Jeta.

loading…