Banjskë

Historiani Mala: E pamundur të futej gjithë ai armatim në Manastir të Banjskës pa qenë në dijeni dikush që rri aty

Historiani kosovar, Muhamet Mala, në FRONTAL të T7 ka folur për ngjarjet e ndodhura në veri të vendit që përveç Radojiçiqit me shokë kanë pasur në qendër edhe Manastirin e Banjskës, ku sipas deklarimeve zyrtare të Qeverisë së Kosovës janë gjetur edhe armë.

Mala ka thënë se Kisha Ortodokse Serbe ka luajtur rol shumë negativ ndaj shqiptarëve në të kaluarën, por edhe sot, kur për ngjarjet e ndodhura në veri të venit e identifikon veten me politikën nacionaliste serbe.

“Kisha Ortodokse Serbe e ka luajtur një rol shumë negativ ndaj shqiptarëve për arsye se si kish shtetërore është bërë ruajtëse e ideve të ekspansionit mesjetar. Një nga mitet për Betejën e Kosovës është produkt i Kishës Serbe. Për fat të keq e pamë edhe sot çfarë roli negativ po luan Kisha Serbe duke e identifikuar veten me politikën nacionaliste serbe”, ka thënë Mala në FRONTAL të T7, shkruan Express.

Ai tutje ka thënë se madje në shumë raste, Kisha Ortodokse Serbe e ka plotësuar vakumin kur ka dështuar politika ekspansioniste e Serbisë. Këtu ka përmendur vitin 1999 kur ushtria serbe ishte detyruar të tërhiqej nga Kosova, në ndërkohë që sipas Malës, Kisha Orotodkse e kishte vazhduar politikën e shtetit serb në Kosovë.

Njëjtë thotë se vepron edhe sot.

“Në shumë raste Kisha Ortodokse e ka plotësuar vakumin kur ka dështuar politika ekspansioniste serbe. Në vitin 1999 serbët u detyruan të tërhiqen te mundur nga Kosova, por vakumin dhe politikën e asaj kohe e vazhdoi Kisha. Në mënyrë të tillë vazhdon ta bëjë edhe sot”, ka potencuar ai.

Për armatimin e gjetur brenda objekteve të Manastirit të Banjskës, historiani Mala ka thënë se është e pamundur që të futet gjithë ai armatim pa dijeninë e dikujt që qëndron në Manastir.

“Gjithë ai material brenda kishës s’është e mundur që të futet pa dijeninë e dikujt që qëndron aty. Së paku po ta kishin kundërshtuar ata është dashur ta lajmërojnë dikë nga Kosova, apo edhe nga Serbia që ai arsenal armësh të mos futet brenda”, ka thënë Mala