Menjëherë pasi Boris Johnson, u zgjodh kryeministër i ri i Britanisë së Madhe, televizioni publik i shtetit RTK tha se kryeministri është me origjinë shqipëtare. Kjo duke u bazuar në një botim të Ryan Gingeras, expert i historisë së Turqisë, Ballkanit dhe lindjes së mesme.

Mirëpo, vet Gingeras e ka sqaruar se e vërteta nuk është kështu. Studiuesi dhe autori Gingeras, në një postim në twitter, nënvizon se ka një ngatërresë për sa i takon Ali Kemalit, stërgjysh të Boris Johnsonit.

“Unë, në librin tim, kam folur për kapitenin Ali Kemal, me origjinë shqiptare, dhe jo Ali Kemalin që u bë ministër mbrojtjeje në perandorinë otomane”, ka shkruar Gingeras në Twitter.

Gingeras, është autor i njohur i disa veprave për Perandorinë Turke, sidomos periudhës së fundit të saj. Pikërisht një vepre të tij, “Brigje të trishta” (Dhunë, Etnicitet dhe fundi i Perandorisë Otomane 1912-1923) i referohen lajmet sipas të cilave, stërgjyshi ottoman Ali Kemali, i udhëheqësit konservator Jonson, është me origjinë shqiptare.

Por, Ali Kemal Bej, stërgjyshi i Johnson, ishte në fakt një gazetar, poet dhe politikan, që për afro tre muaj ka qenë ministër në perandorinë otomane, e më pas u vra gjatë luftës turke për pavarësi.

Ndaj, pas këtij sqarimi, mbetet i justifikuar vetëm entuziazmi turk, ku zgjedhja e Johnsonit kryeministër ka ndezur shpresa se ‘nipi otoman’ sic e quajnë mediat dhe politikanët vendas, do të mund të forcojë marrëdhëniet mes dy vendeve.

Gjithashtu në një postim në Twitter, Gingeras bëri një thirrje ku lutej të mos shkruhej më në lidhje me Ali Kemal dhe Boris Johnsonin.

loading…