Historia e trishtë e familjes ukrainase: Rusët vranë motrën dhe prindërit derisa po iknin, 5 vjeçari vdes në spital

Një pesë vjeçar në Ukrainë ka vdekur në spital pak ditë pasi motra dhe prindërit e tij u qëlluan për vdekje nga ushtria ruse.

Seymon ka qenë duke udhëtuar me familjen e tij, kur vetura e tyre u sulmua derisa po tentonin të largoheshin nga Kievi të shtunën.

Mediat e huaja raportojnë se një grup rusësh kishin ndaluar makinën dhe më pas kishin sulmuar me armë, duke lënë të vdekur bashkëshortët Anton Kudrin dhe Svetlana Zapadynskaya, si dhe të bijën e tyre 10-vjeçare, Polina.

Semyon më pas ishte dërguar në spitalin e fëmijëve në Okhmatyt, por ka ndërruar jetë të mërkurën, ka konfirmuar një familjar i tij për The Daily Telegraph.

Motra tjetër, Sofia 13-vjeçare ndodhet në gjendje kritike në një tjetër spital, pa dijeninë se e gjithë familja e saj ka vdekur.

Polina raportohet se ka qenë fëmija i parë në luftën Rusi-Ukrainë që është identifikuar si viktimë.

Një i afërm i familjes ka folur për media duke pyetur pse rusët po i sulmojnë fëmijët dhe civilët.

“Ne kurrë nuk do ta falim Rusinë dhe rusët për vdekjet e tyre”, ka thënë Tatyana Zolotina, një mikeshë e familjes.

Deri më tani, raportohet se më shumë se 2 mijë civilë janë vrarë në luftën e cila filloi vetëm një javë më parë.

Presidenti rus, Vladimir Putin është akuzuar që ka kryer krime lufte në Ukrainë, kur ish-kryeministri britanik, Gordon Brown bëri thirrje që të krijohet një tribunal special përmes së cilit mund të dënohet ai.