Kandidati për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Hisen Berisha, ka deklaruar se Dragashi është një nga trevat ku mesazhi për ndryshim dhe zhvillim po gjen mbështetje të fuqishme, duke theksuar se koha e emigrimit si zgjidhje e vetme duhet të marrë fund.
Në një postim gjatë vazhdimit të fushatës elektorale në këtë qytet, Berisha e përshkroi Dragashin si trevë që ngrihet mbi themelet e Prizrenit historik, si kala e qëndresës së luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe si hapësirë e punës, bereqetit dhe ruajtjes së vlerave kombëtare, etnogjenetike dhe kulturore.
Sipas tij, Dragashi kultivon identitetin e lashtë dhe trashëgiminë iliro-dardane, duke përfaqësuar vazhdimësinë historike dhe qytetërimin që e bën Kosovën krenare para botës. Ai theksoi se kjo trevë ka ditur të mbijetojë, të ruajë vlerat dhe të kontribuojë në momentet vendimtare për lirinë e vendit.
Berisha vuri në pah programin e PDK-së dhe vizionin e kandidatit për kryeministër, Bedri Hamza, duke thënë se ato ofrojnë përgjigje konkrete për pritjet e qytetarëve të Dragashit dhe të gjithë Kosovës. Mesazhi kryesor, sipas tij, është i qartë: “Jo më emigrimi si shpëtim, por Kosova si mundësi”.
“Kosova duhet të jetë mundësi për jetë dinjitoze, për punë, për zhvillim dhe për një të ardhme që ndërtohet këtu, në vendin tonë”, ka theksuar Berisha.
Ai shtoi se Dragashi di ta dallojë fjalën nga vepra dhe se kjo trevë është në përkrahje të vizionit për fitore dhe për ndërtimin e një shteti funksional.
Hisen Berisha është kandidat për deputet nga PDK-ja me numrin 67 në listën zgjedhore.







