Hill takon ministrin e Mbrojtjes, raportohet se SHBA është treguar e gatshme të ndihmojë në procesin e pajisjes së Forcave Serbe

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Millosh Vuçeviq, ka dhënë detaje rreth një bisede të realizuar gjatë ditës me ambasadorin e ShBA-së në Serbi, Christopher Hill.

Sipas Kosovo Online, dy zyrtarët kanë theksuar se vizitat e delegacioneve të larta të Shteteve të Bashkuara në Serbi, në periudhën paraprake tregojnë për forcimin e marrëdhënieve me Amerikën.

Raportohet gjithashtu se ministria e Mbrojtjes e Serbisë, ka thënë se në bisedën me ambasadorin amerikan është folur në veçanti lidhur me qëndrimin e përbashkët për domosdoshmërinë e konstituimit të Bashkësisë së Komunave Serbe, si parakusht për vazhdimin e mëtejmë të procesit negociator.

Më tej Kosovo Online shkruan se, Hill ka vënë në dukje se ShBA-të janë të gatshme të ndihmojnë procesin e pajisjes së Forcave të Armatosura të Serbisë.

Lidhur me këtë çështje mësohet se është theksuar veçanërisht vizita që do të bëjë shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, gjenerali Milan Mojsiloviq, në Gardën Kombëtare të Ohajos në Columbus dhe në Komandën e Përbashkët të Forcave të Armatosura të ShBA-së në Uashington.

Në deklaratën e kësaj ministrie po ashtu raportohet se Hill ka theksuar që ShBA-të janë partner i besueshëm i Serbisë.