Higuain tregon këmbënguljen e tij për të refuzuar largimin nga Juventusi

Gonzalo Higuain është njeriu i momentit te Juventusi. Sulmuesi argjentinas po zhvillon një sezon shumë pozitiv edhe pse largimi i tij nga bardhezinjtë dukej i sigurtë.

Megjithatë dëshira e “El Pipitas” për të treguar veten dhe për të vazhduar aventurën e tij me kampionët e Italisë, ka dhënë frytet e veta pasi tashmë Maurizio Sarri po i merr më të mirën sulmuesit argjentinas. Pasi i dha fitoren ndaj Interit, Higuain rezultoi vendimtar në një tjetër ndeshje delikate atë ndaj Atalantës.

Në Bergamo Higuain shënoi dy herë duke përmbysur shifrat me Juventusin që arriti një fitore shumë të rëndësishme. Në një intervistë Higuain është shprehur se dëshira e tij ka qenë vetëm të qëndronte te Juventusi dhe për këtë arsye ka refuzuar çdo ofertë që i ka ardhur.

”Zgjedhja ime për të qëndruar ka qenë gjithmonë e qartë, por trajneri ka pasur të drejtë duhet të ndryshoja diçka në kokën time. Sarri është shumë i rëndësishëm për mua. Jam i lumtur që jam këtu te Juventusi dhe me një si ai në drejtim”, theksoi sulmuesi argjentinas.