Humbja nga Reali

Hierarkia e Barcelonës ka humbur besimin tek Xavi pas humbjes në Superkupë

Dita e diel ishte padyshim një ndër ditët më të errëta për Barcelonën që prej ardhjes në krye të klubit të trajnerit Xavi Hernandez.

Jo vetëm për faktin se humbën me rezultat 4-1 ndaj rivalit të përbetuar Real Madridit në finale, por gjithashtu për shkak të performancës tejet të dobët që i zemëroi drejtuesit e klubit katalan.

Menjëherë pas përfundimit të ndeshjes gishti është drejtuar tek trajneri. Xavi u fut në fushë me taktikat e gabuara, teksa Real Madridi arriti të shfrytëzojë faktin që mbrojtja e Barcelonës nuk ishte aq mirë e pozicionuar.

Xavi ishte nën presion të madh tek Barcelona pas një periudhe të vështirë prej tre muajsh, por që tani situata është bërë edhe më e vështirë pas humbjes në Superkupë.

Siç raportohet nga mediat në Spanjë bordi i klubit tashmë ka humbur besimin tek 43-vjeçari, i cili tashmë është në dijeni që nuk e ka më mbështetjen e instancave më të larta të klubit.

Për më shumë edhe Deco i cili tek Barça ushtron detyrën e drejtorit sportiv dhe njihej si përkrahës i madh i Xavit, po ashtu ka filluar ta humbasë besimin tek tekniku spanjoll dhe ka filluar të hedhë dyshime në disa transferime, si ai i Ilkay Gundogan.

Sidoqoftë, në fund vendimi i takon Joan Laportas i cili pritet të vendosë për fatin e Xavit së shpejti.