Hezitimi i Ibrahimovicit, Milani kthen sytë nga Mandzukic

Zlatan Ibrahimovic është shumë pranë kthimit te Milani në Serie A, megjithatë, kohëzgjatja e kontratës duket se po vonon përgjigjen përfundimtare të gjigantit suedez. Në këto kushte, për të mos u gjendur të papërgatitur, drejtuesit e “Djallit” po studiojnë edhe alternativa të tjera.

Sipas “Corriere dello Sport”, emri që ka dalë në skenë orët e fundit është Mario Mandzukic, i cili nuk sheh të ardhme te Juventusi dhe nuk ka ndërmend të presë verën e ardhshme për t’u larguar nga bardhezinjtë. Gjithsesi, Ibra mbetet zgjedhje e parë dhe vetëm nëse dështojnë tratativat me 38-vjeçarin do të merret në konsideratë pista “Mandzukic”.

Dy klubet e Serise A prej kohësh kanë patur kontakte edhe për mbrojtësin turk Demiral, që nuk ka një rol të rëndësishëm te “Zonja e Vjetër”, por që mund t’u bëjë shumë punë kuqezinjve.