Realizatori i dy golave për Kroacinë në fitoren e mbrëmshme 3-2 ndaj Spanjës, Tin Jedvaj beson se kombëtarja ballkanase mund të përfundojë e para në grupin 4 të Ligës A.
Të dielën në “Wembley” në përballjen Angli-Kroaci do të vendosen shumë gjëra lidhur me kombëtaren që do të kryesojë grupin dhe atë që do të bie një ligë më poshtë, me nënkampionët e botës dhe britanikët që kanë nga 4 pikë pas 3 ndeshjeve, kurse lider i grupit është Spanja me 6 pikë që do të shpresojë te barazimi nga ajo sfidë.
Mbrojtësi i Bayer Leverkusenit, Jedvaj beson te suksesi i Kroacisë duke iu referuar edhe fitores ndaj Anglisë në gjysmëfinalen e Kupës së Botës.
“Së pari dua të përgëzoj të gjithë bashkëlojtarët e mij pasi e dhanë maksimumin e tyre në secilin duel. Para ndeshjes thamë se synojmë vetëm fitoren dhe kjo ishte qasja jonë, i minimizuam rastet Spanjës pavarësisht se ata janë një kundërshtar i vështirë që krijon mundësi pafund. Ky sukses na motivon për ballafaqimin me Anglinë. Në Rusi e dëshmuam se mundemi t’i mposhtim pa problem dhe ata nuk janë më të mire se ne. Ne mund të jemi favorit përkundër që luajmë si mysafir, besojmë te fitorja dhe vendi i parë në grup”, u shpreh Jedvaj.







