Diogo Costa

Heroi i Portugalisë: Ndeshja e jetës sime

Portieri i Portugalisë, Diogo Costa, e ka vlerësuar ndeshjen ndaj Sllovenisë si më të mirën e jetës së tij. Të hënën mbrëma Costa i priti tri penallti për ta dërguar Portugalinë në çerekfinale të “Euro 2024”.

Ndeshja në kohën e rregullt nuk dha gola, ndërsa situata nuk ndryshoi as pas dy vazhdimeve nga 15 minuta. Kështu penalltitë e vendosen çerekfinalisten. Costa ishte heroi sportiv i vendit të tij duke ndalur tri gjuajtjet e para të Sllovenisë. Dhe Portugalia fitoi 3:0.

Cristiano Ronaldo e humbi një penallti gjatë vazhdimit të parë dhe e përjetoi rëndë këtë. Është parë në lot dhe duke u përkrahur nga bashkëlojtarët. Superylli mori përgjegjësinë që ta gjuajë penalltinë e parë për Portugalinë pas 120 minutave lojë dhe ishte i saktë. Pas tij shënuan edhe Bruno Fernandes dhe Bernardo Silva.

Tani Portugalia përballet me Francën në çerekfinale, të premten.

24-vjeçari Costa është pjesë e Portos. Ai bëri pritje vendimtare pak para fundit të vazhdimit të dytë. Zgjati këmbën dhe ndali goditjen e Benjamin Sheshkos së Sllovenisë, që doli i vetëm përballë Costas pas gabimit në mbrojtjen portugeze.

“Mendoj se kjo ndoshta është ndeshja më e mirë e jetës sime. Është ndeshja në të cilën kam qenë më i dobishmi”, ka thënë Costa.

“Sigurisht që kemi analizuar ata që i gjuajnë penalltitë dhe unë thjesht i kam besuar ndjenjës sime. Kjo, pasi lojtarët ndryshojnë mendje dhe ndryshojnë mënyrën e gjuajtjes. Më është dashur të bëj atë që ndieja. Jam shumë, shumë i lumtur dhe shumë i emocionuar që kam mundur ta ndihmoj ekipin”, ka theksuar portieri portugez, që shpëtoi një natë jo të lehtë për Ronaldon dhe mbrojtësin e qendrës Pepe.

Costa tha se u përpoq të parashikonte se çka do të bënte Sheshko kur ishte përballë tij.

“Mendova se këtë duhet ta ndali, do të jap më të mirën”, tha Costa. “U mundova ta lexoja gjuhën e trupit të tij dhe fatmirësisht arrita ta ndihmoj ekipin. Kjo është kryesorja”.

Costa është i lumtur që Ronaldo e kaloi momentin e vështirë dhe realizoi penalltinë e parë.

“Ne të gjithë kishim ndjenjën se duhet të vazhdojmë të besojmë, unë dhe Ronaldo po ashtu. Të gjithë bëjnë gabime, por gjëja më e rëndësishme është ajo që ne bëjmë pas këtyre gabimeve. Ne duhet të besojmë në veten tonë dhe këtë edhe e bëmë. Dhe tani jemi të gjithë shumë të lumtur”.

Trajneri i Portugalisë, Roberto Martinez, tha se emocionet e Ronaldos kanë dëshmuar se çka do të thotë Evropiani i gjashtë për superyllin, përkundër karrierës impresive të tij.

“Këto emocione janë impresive për dikë që ka bërë aq shumë. Për këtë e falënderoj. Vetëm ata që marrin përgjegjësinë për të gjuajtur penalltitë mund t’i humbin ato”, ka thënë Martinez.

Ronaldo gjuajti mirë, por portieri slloven, Jan Oblak, u zgjat dhe ndali topin. Oblak më pas nuk e ndali asnjë penallti të portugezëve.

“Isha i sigurt se Ronaldo do të duhej të ishte i pari që do të gjuante dhe të na tregonte rrugën drejt fitores. Të gjithë janë shumë krenarë për kapitenin tonë. Ai na jep mësim të gjithëve, që të kemi standard të lartë dhe të mos dorëzohemi asnjëherë”, ka shtuar Martinez.

Ai e lavdëroi edhe portierin Costa, duke thënë se “është sekret i ruajtur mirë i futbollit portugez”.

“Kam punuar me shumë portierë dhe ai është në mesin e më të mirëve. Çelësi është maturia e tij, përvoja dhe tani ne përfitojmë nga paraqitjet e tij”, ka thënë Martinez.