Henry nuk i frikësohet rënies nga Ligue 1

Sipas trajnerit të Monacos, Thierry Henry skuadra e tij nuk i frikësohet rënies nga elita e futbollit francez pas formës katastrofale nëpër të cilën po kalon klubi nga principata.

Monaco u mposht të shtunën 1-0 nga Reims në udhëtim, rezultat ky që e la kampionin e sezonit 2016-2017 në vendin e 19-të me 7 pikë.

Henry që u emërua në stolin e Monacos muajin e kaluar ka mohuar të ketë frikë për rënien në kategorinë e dytë, ndërsa nuk ishte i kënaqur me paraqitjen e futbollistëve të tij.

“Nuk besoj se skuadra frikësohet se do të bie nga liga, por është një moment i vështirë në anën mentale. Është situatë e vështirë kjo që po përballemi. Siç e kam thënë shumë herë ka edhe shumë pikë për të fituar. Por sigurisht se nëse rritet diferenca mes skuadrave para nesh do të bëhet problematike. Java ka qenë e mirë gjatë seancave stërvitore, por ndeshja ndaj Reims nuk u reflektua me atë që kemi bërë gjatë javës”, theksoi Henry.

Monaco këtë fundjavë përballet me Paris Saint Germanin në Stade Louis II.