Hendboll, skuadrat kosovare mësojnë kundërshtarët në Kupën Evropiane

KHF Prishtina është skuadra e parë kosovare që ka mësuar kundërshtarin evropian për sezonin 2021/22 pas shortit të tërhequr të martën në Vjenë. Prishtina në raundin e dytë të Kupës Evropiane (EHF European Cup), që është niveli i tretë i garave evropiane për klube, do të përballet me Vardarin. Ndeshja e parë, në të cilën Prishtina është vendase, do të luhet më 16/17 tetor në kryeqytet derisa ajo e kthimit pas një jave në Shkup. Edhe hendbollistet e Ferizajt do të nisin garat evropiane nga raundi i dytë, në të cilin do të përballen me ekipin e Holandës, JuRo Unirek VZV.

Dueli i parë luhet më 16/17 tetor në Holandë kurse ai i kthimit pas një jave në Ferizaj. KHF Istogu do ta luajë ndeshjen e parë në shtëpi (16/17 tetor) kundër ekipit nga Islanda, KA në Kupën Evropiane kurse atë të kthimit pas një jave në udhëtim. Ndërkohë, në të njëjtat data, por fillimisht në Vushtrri dhe pastaj në Zvicër, do të luajë skuadra e Vushtrrisë me ekipin zviceran SPONO Eagles. Edhe në konkurrencën e meshkujve, katër ekipe nga Kosova do të paraqiten në garat Evropiane. Skuadra e Prishtinës në raundin e parë do të përballet me ekipin nga Austria, Sparkase Schwats HB Tirol.

Trepça do të ketë punë me kundërshtarin nga Izraeli, Holon Yuvalim derisa Vëllazimi do të përballet me Kaerjengun e Luksembugut. Të tri këto skuadra, do të luajnë në raundin e parë të EHF European Cup, ku ndeshjet e para do të zhvillohen më 11/12 shtator ndërsa ato të kthimit më 18/19 shtator. Kampionia e Kosovës, Besa Famgas do të paraqitet në raundin e dytë të Kupës Evropiane dhe do të ketë sërish punë me Borcin e Banjallukës.

Dueli i parë do të luhet më 16/17 tetor kurse ai i kthimit më 23/24 tetor. Borci është vendas në takimin e parë derisa ndeshja e dytë do të luhet në Pejë. Besa e Borci ishin takuar edhe edicionin e kaluar. Ndonëse kishte fituar në Pejë, Besa nuk avancoi tutje, pasi humbi me një gol më shumë në Banjallukë.