Helmimi i qytetarëve në Han të Elezit, kryetari tregon se çka mund ta ketë kontaminuar ujin

Kryetari i Hanit të Elezit, Mehmet Ballazhi tha se është stabile gjendja shëndetësore e banorëve të fshatit Gorancë, të cilët dyshohet se u helmuan nga uji i pijes.

Ballazhi tha në Frontal të T7 se nuk dihet me siguri se nga çfarë janë helmuar banorët, por pranoi se dyshimet janë në ujin e pijes.

“Bëhet fjalë vetëm për banorët e fshatit Gorancë. Dyshimet janë se janë helmuar nga uji i pijes, por ne nuk e dimë saktësisht”, tha ai.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i ka marrë mostrat e ujit, dhe Ballazhi tha se po i presin rezultatet.

Kryetari i Hanit të Elezit dyshon se reshjet e fundit të shiut mund ta kenë shkaktuar krejt këtë.

“Shumica e banorëve furnizohen nga ujësjellësi, që i ka dy burime. Njëri është me rënie të lirë, ndërsa tjetrin e kemi funksonalizuar para pak ditësh dhe me reshjet e fundit që kanë ndodhur, sigurisht dyshohet më shumë se vetëm nga reshjet e shiut mund të ketë ndonjë helmim. Kjo është vetëm dyshim, nuk ka diçka që është e saktë”, tha ai.

Ballazhi tha se të gjithë ata që nuk u ndjenë mirë, u trajtuan në QKMF-në e Hanit të Elezit si dhe në ambulantën e fshatit.

Ai tha se është në kontakt me Ministrinë e Shëndetësisë.

“Jam në kontakt. Kam biseduar me zëvendësministrin e Shëndetësisë, Z. Arsim Berisha dhe ata na kanë ofruar ndihmën. Ne kemi bërë kërkesa për të shtuar stafin mjekësor, infuzionet ose medikamentet mjekësore që janë të nevojshme në këtë situatë.