Helmimi i dyshimtë i qenve në veri të Mitrovicës, Prokuroria nis hetimet

Disa qenë kanë ngordhur gjatë fundjavës në veri të Mitrovicës, e që të njëjtit dyshohet se janë helmuar.

Fotografitë e qeneve të ngordhur në disa pjesë të qytetit janë publikuar nga Shoqata për Mbrojtjen e Kafshëve “Shapa”.

Kjo shoqatë apelon qytetarët që të kenë kujdes sepse helmi i mbetur në rrugë nuk është i dukshëm si më parë, por është i pangjyrë. Ata gjithashtu treguan se kanë marrë informacione nga qytetarët që kanë pasur kontakt me helmin, se kanë vërejtur reagime të pazakonta në trup.

Lidhur me këtë rast, Telegrafi ka kontaktuar me Prokurorinë Themelore të Mitrovicës.

Zëdhënësi i kësaj prokurorie Valon Preteni ka thënë se është hapur rast dhe se janë duke u kryer hetimet.

“Është njoftuar prokurori kujdestar, është hapur rast për veprën penale “Keqtrajtimi i kafshëve dhe ndotja e ushqimit dhe e ujit të shtazëve”. Rasti është duke u hetuar në koordinim me policinë”, ka thënë Preteni.