Heldt pas inaugurimit të Parkut Inovativ në Prizren: VV dhe LDK kanë bërë një punë të mrekullueshme

Është inauguruar sot Parku për Inovacion dhe Trajnim në Prizren, ku po merr pjesë edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti dhe ambasadori gjerman Christian Heldt.

Kryeministri Kurti ka thënë se është tejet i lumtur për inaugurimin e këtij parku, për çka ka falënderuar shtetin e Gjermanisë për ndihmën.

Ndërkaq ambasadori gjerman në Kosovë, Christian Heldt ka thënë  se me realizimin e këtij parku përfituesit më të mëdhenj do të jenë gjeneratat e reja në Kosovë dhe se lansimi i tij do të jetë një ndihmesë e madhe për ekonominë kosovare.

Helt ka thënë se është bërë një punë e mrekullueshme nga ministritë përkatëse deri në inaugurimin e këtij parku.

Ai ua ka kujtuar VV-së e LDK-së se sa e rëndësishme është puna ekipore, derisa ka thënë se me inaugurimin e këtij parku kanë bërë një punë të jashtëzakonshme.

“Ne kemi punuar kolektivisht me vite për të arritur deri këtu. Gjithçka është tek puna ekipore. Jam i lumtur që falë kësaj pune ekipore Kosova dhe Gjermania kanë arritur deri këtu. Dua të ju rikujtoj, të dyve Vetëvendosjes dhe LDK-së që kanë bërë një punë të jashtëzakonshme për të arritur deri këtu. Sfidat më të mëdha arrihen me punë ekipore”, u shpreh ndër të tjera ai.