Atdhetari i shquar dhe organizatori i tubimeve dhe protestave në Hagë dhe gjithandej Evropës, Hektor Beqiri ka reaguar ndaj një deklarate të Esat Shalës lidhur me qëndrimin dhe akomodimin e tij në Hagë gjatë organizimeve të mbajtura më 15 dhe 16 shtator.
Sipas Beqirit, Shala ka deklaruar se “askush nuk i kishte bërë konak në Hagë dhe se kishte fjetur në shi”, pretendim të cilin ai e kundërshton fuqishëm.
Beqiri thotë se organizimi në Hagë është zhvilluar në kuadër të platformës “Liria ka Emër” dhe se, si njëri prej organizatorëve të tubimit në parkun Malieveld, Shala nuk i është drejtuar atij apo, sipas dijenisë së tij, bashkëorganizatorëve të tjerë për kërkesë për akomodim.
“Me gjithë respektin për punën dhe angazhimin e Esat Shalës, më duhet të them qartë se kjo deklaratë nuk përputhet me atë që ka ndodhur gjatë organizimit në Hagë më 15 dhe 16 shtator”, shprehet Beqiri.
Ai shton se Shala nuk është paraqitur as pranë platformës “Liria ka Emër” në Prishtinë për të njoftuar për udhëtimin e tij drejt Hagës.
Në reagimin e tij, Beqiri e konsideron deklaratën të padrejtë ndaj bashkatdhetarëve që, sipas tij, kanë kontribuar në organizimin e aktiviteteve dhe kanë ofruar mbështetje të vazhdueshme.
“Mërgata jonë nuk do ta kishte lënë askënd të flinte në shi, e aq më pak një bashkatdhetar që do të kishte kërkuar ndihmë”, deklaron Beqiri.
Ai përmend edhe kontributin e tij personal në organizimin e qëndrimit të pjesëmarrësve në Hagë, duke thënë se kishte siguruar dhoma hoteli për gazetarë, kameramanë, operatorë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe politikanë, si dhe transportin nga aeroportet drejt Hagës.
Beqiri kërkon që, nëse pretendimi për mungesë akomodimi qëndron, të bëhet e qartë se kujt i është drejtuar Shala për ndihmë dhe kush, sipas tij, ka refuzuar ta strehojë.
Në fund të reagimit, Beqiri thekson se mërgata shqiptare ka dëshmuar ndër vite gatishmëri për të ndihmuar dhe për të qëndruar pranë bashkatdhetarëve në situata të ndryshme.
“Më vjen keq që dëgjova një deklaratë të tillë, sepse nuk i bën nder askujt dhe, mbi të gjitha, nuk i bën nder Esat Shalës”, përfundon Beqiri.







