Kryetari i tanishëm gjilanas, Lutfi Haziri, i cili prapë po kandidon për këtë pozitë nga radhët e LDK-së, gjatë vizitës së tij në Verbicë të Zhegocit, ka thënë se projektet e nisura nga ai nuk guxon t’i prekë askush dhe se ai do të jetë kujdestar 24 orë, për shtatë ditë të javës.

“Përpos mbështetjes me anë të subvencioneve për fermerët e malësisë së Zhegocit e Verbicës së Zhegocit dhe projekteve tjera infrastrukturore, në këtë zonë është duke u ndërtuar edhe Autostrada e rruga magjistrale tetë-kilometërshe që e lidh këtë pjesë me Lipjanin. Në këtë mënyrë, jetesa e banorëve të kësaj malësie po bëhet më lehtë dhe vlera e pronave tashmë është dukshëm më e lartë. Këto projekte nuk guxon t’i prek askush dhe unë do të jem kujdestar 24 orë e shtatë ditë”, është shprehur kryetari gjilanas, Lutfi Haziri.

Haziri bëri të ditur se kanë mbetur edhe disa projekte të vogla të rrugëve për t’u realizuar, dhe renovimi i një pjese të shkollës në Verbicë të Zhegocit.

Kryetari Haziri bashkë me kandidatin për Asamble, Sami Ahmeti, kanë vizituar dhe nënën e dëshmorit Bahtir Jahiri, ku kanë bërë homazhe te pllaka përkujtimore, sikurse edhe te simboli i kryengritjes për lirinë shqiptare, te shtëpia muze e dëshmorit, Pajazit Ahmeti – Paja.