Takimi midis krerëve të partive politike për çështjen e presidentit ka dështuar të mbahet deri tani, ndonëse ishte paralajmëruar tash e disa javë. Kësisoj, të gjitha subjektet politike janë deklaruar të gatshme për opsionin tjetër, zgjedhjet e parakohshme.
Për nënkryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, LDK-ja është e para gjithmonë.
I pyetur për rezultatin që mund ta marrë LDK-ja në zgjedhjet e ardhshme, Haziri ka thënë për Express se nuk është me rëndësi se sa numra ke. Ai ka thënë se më e rëndësishme është se me kë qeveris.
“LDK e para gjithmonë. Beso! Nuk është me rëndësi sa numra ke, por kënd e ke partner pë qeverisje”, ka thënë Haziri.
Express ka pyetur edhe në subjektet tjera politike për rezultatet që i presin nga zgjedhjet e mundshme, por ata nuk janë përgjigjur.
Të dielën, sekretari i përgjithshëm i Nismës, Bilall Sherifi i ka komentuar sondazhet që po bëhen për zgjedhjet e ardhshme, disa prej të cilëva e renditin Nismën nën pragun minimal për t’u futur në Kuvend. Ai është shprehur i bindur se Nisma do të jetë sërish në Kuvendin e Kosovës, kurdo që mbahen zgjedhjet.
“Unë një send mund t’ju siguroj, që Nismën do ta keni sërish në Kuvendin e Kosovës pa marrë parasysh a do të mbahen zgjedhjet tash, a do të mbahen në pranverë, a do të mbahen vitin e ardhshëm apo pas një viti… Nismën sërish do ta keni pjesë të Parlamentit të Republikës së Kosovës. Kaq mund t’ju them”, tha ai.
Për këtë, Sherifi ka thënë “mund t’ju siguroj dhe mund të më mbani për fjale në të ardhmen”.
Lëvizja Vetëvendosje vazhdimisht është shprehur kundër zgjedhjes së presidentit pa u mbajtur paraprakisht zgjedhjet e parakohshme.
Në anën tjetër, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) e do kreun e saj, Ramush Haradinaj për president. Ky propozim s’i ka pëlqyer partive tjera politike, ndërsa PDK-ja ka thënë se nëse kërkohen votat nga ta për zgjidhjen e kësaj çështjeje, atëherë propozimi për president duhet të vijë nga ky subjekt.
Në këtë mes, LDK-ja ka provuar që t’i mbledh partitë politike në një tryezë për t’u marrë vesh për këtë, por kjo ka dështuar të ndodh deri tash.







