Haziri porosit Qeverinë: Nëse s’e trajtoni seriozisht dialogun, vjen politika e karrotës dhe shkopit e tipit ‘merre ose leje

Nënkryetari i Lidhjes Demokratikes të Kosovës, Lutfi Haziri, ka porositur Qeverinë që ta trajtojë me seriozitet dialogun, pasi sipas tij, nëse nuk ndodh kjo “vjen politika e karrotës dhe shkopit e tipit ‘merre ose leje’ ”.

Ai përmes një statusi në Facebook shkruan se shumë do të varet nga sjellja e delegacionit kosovar në takimin që do të mbahet në qershor.

“Nëse Qeveria nuk e trajton me seriozitet dialogun me Serbinë, rrezikohet të shkohet në një hap tjetër, që është konferencë ndërkombëtare, ku vjen politika e karrotës dhe shkopit e tipit ‘merre ose leje’. Do të varet shumë nga sjellja e delegacionit tonë në qershor. Qeveria e Kosovës nuk guxon të hyjë në negociata me mentalitet të blerjes së kohës e të shtyrjes, domethënë me mentalitet të Serbisë. Duhet të konfirmohet konstruktiviteti, duhet të shkohet me shpirt ofansiv dhe sa më shpejt të ndërtohet ambient për ta përmbyllur procesin”, ka shkruar Haziri.

Sipas tij, LDK-ja e ka bërë të qartë se do të ketë veç rol në Kuvend dhe askund tjetër.

“Ne do të jemi gardianë të parimeve dhe Republikës!“, shkruan tutje kryetari aktual i Gjilanit.