Haziri: Në këto orë të vona po ia japim lamtumirën e fundit bashkëqytetarit që vdiq nga COVID-19

Klinika e Pulmologjisë e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës ka njoftuar se sot në orët e pasdites në këtë klinikë kanë vdekur dy pacientë.

Pacienti i parë, Xh.R. (1946) nga komuna e Gjilanit, përveç sëmundjeve të tjera, ishte i diagnostikuar edhe me Covid-19.

Pacienti i dytë që ka vdekur, I.B.(1949) nga komuna e Prishtinës, në Klinikën e Pulmologjisë është pranuar sot pasdite dhe i është marrë mostra për testim për Covid-19 dhe mbetet të konfirmohet nga laboratori nëse i njëjti kishte edhe Covid-19 apo jo, krahas dy sëmundjeve të tjera shoqëruese.

E, përmes një postimi të bërë në Facebook, kryetari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka ngushëlluar familjen e të ndjerit nga Zhegra.

Ai madje ka bërë edhe një herë apel që të respektohen masat mbrojtëse.

Ky është postimi i Hazirit:

#Dita101 me një lajm të keq për Gjilanin. Një bashkëqytetar i yni nga Zhegra ka ndërruar jetë si pasojë e infeksionit me #Covid19 dhe në këto orë të vona po ia japim lamtumirën e fundit. I ndjeri kishte edhe sëmundje të tjera përcjellëse. Ngushëllimet më të sinqerta familjes dhe do t’I qëndrojmë bashkë për ta përballuar.

Lajmi i mirë është që janë shëruar shtatë persona të cilët kanë qenë të prekur nga #Covid19.

Ju lutem, përshtatjuni masave mbrojtëse dhe kujdesu për vete e familjen. Mos jep e as mos merr shërbime pa maska e doreza. Virusi #Covid19 është i panjohur dhe lufta ndaj tij po bëhet e vështirë. Por, nuk guxon me na mund!