Haziri: Kundërshtimet VV -LDK për Presidentin perceptime të qytetarëve, jemi në fazën finale të marrëveshjes

Nënkryetari i LDK’së, Lutfi Haziri, ka thënë se ngërçi për çështjen e presidentit është më shumë perceptim i krijuar nga qytetarët, sesa problem real mes dy partnerëve.

I ftuar në Frontal të T7, Haziri ka thënë se tashmë janë në fazën finale të arritjes së marrëveshjes, duke potencuar se kanë tejkaluar mospajtimet që kanë pasur.

Sipas tij më së shumti problem mes dy partive po shkakton mosbesimi i shkaktuar nga një hendek i madh mosbashkëpunimi mes dy partive, përjashtuar dy vitet e fundit sa këto parti kanë qenë në opozitë.

“Nuk kemi kërkesa eksplicite në tavolinë. Është bërë edhe perceptim në publik. Kemi arritur me i përballu dallimet e mëdha ideologjike. Tash po shihet që ka vështirësi. Megjithatë hendeku i mirëbesimit si barrierë po shkon duke u ngushtuar. Më shumë po shihet që ka mosbesim. Ndoshta ky mosbesim është i dyanshëm, përjashtuar këto dy vitet e fundit që kemi shtuar komunikimin”, ka thënë Haziri.

Tutje Haziri ka thënë se tashmë LDK është dukë e qartësuar pozicionin e saj në të gjitha strukturat e partisë.

“Nuk ka ndryshim. Ka qëndrime që po qartësohen në kuadër të strukturave të brendshme. Ne kemi taku kryetaarët e degëve, grupin parlamentar, dhe tashmë Këshillin si më të rëndësishëm që aprovon dhe anulon koalicione”, ka potencuar tutje nënkryetari i LDK’së.