Haziri i kërkon Osmanit ta ushtrojë detyrën kushtetuese për ulje të tensioneve në veri

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka kërkuar nga presidentja Vjosa Osmani që ta ushtrojë detyrën e saj kushtetuese për të kontribuar në uljen e tensioneve në veri të vendit.

Haziri ka thënë se presidentët në Kosovë historikisht kanë pasur rolë unifikues duke dhënë kontributin e tyre në procese të ndryshme.

“Presidentja ta ushtrojë detyrën e saj kushtetuese për uljen e tensioneve në veriun e Kosovës. Presidentët historikisht në Kosovë kanë pasur rolë unifikuese, duke dhënë kontributin e tyre në procese të ndryshme siç ishin protestat e dhunshme të vitit 2015, në dialogun e Vjenës e procese të tjera. Ata kanë luajtur rol kyç në raportet e shtetit tonë me shtetet e BE-së, e sidomos edhe me ShBA-në”, ka shkruar Haziri në Facebook.

Aleatët perëndimorë e bënë Qeverinë e Kosovës fajtore për tensionimin e situatës në veri të vendit.

Reagimet ndërkombëtare erdhën pas aksioneve të Policisë së Kosovës, më 26 maj, në tri komunat në veri të Kosovës, Zubin-Potok, Zveçan dhe Leposaviq, për të siguruar qasjen në objektet komunale të kryetarëve të ri të këtyre tri komunave.

Përshkallëzimi në veri kulmoi të hënën, më 29 maj, kur trupat paqeruajtëse të KFOR-it ndërhynë në Zveçan “për të shmangur përplasjet mes palëve dhe për të minimizuar rrezikun e përshkallëzimit”, dhe u sulmuan nga disa protestues të dhunshëm, që qeveria e Kosovës thotë se ishin “banda kriminale serbe”.

Nga kjo përleshje që ndodhi, 30 ushtarë të KFOR-it u lënduan.

Në dy ditët e fundit, situata është më e qetë, ndërsa janë paralajmëruar se shumë shpejt mund të ketë zgjedhje të reja.

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrell, ka njoftuar të enjten tri kërkesat për Qeverinë e Kosovës.

“Zgjedhje lokale të reja të menjëhershme, sigurimi i pjesëmarrjes së serbëve të Kosovës, nisja e punës për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe brenda dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja”, janë tri kërkesat e parashtruara.

Osmani dje u takua me presidentin serb Aleksandar Vuçiq në Moldavi, ku ishin të pranishëm edhe kancelari gjerman Olaf Scholz e presidenti francez Emmanuel Macron.