Haziri flet për situatën me Covid-19 në Gjilan: S’kemi asnjë vaksinë

I pari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka treguar se kjo komunë s’ka asnjë vaksinë kundër Covid-19. Haziri, i cili mori vaksinën ndër të parët e kësaj komune, ka treguar se atje janë imunizuar 1377 persona.

“Janë vaksinuar mantelbardhët, dhe grupmoshat 85, 80 dhe 75 plus. Lajmi i mirë është se asnjë i vaksinuar nuk është përballur me probleme’, shkroi Haziri në Facebook.

Haziri ka apeluar te qytetarët që të respektohen masat kundër Covid-19. Qe nga përhapja e pandemisë në vend jetën e kanë humbur 139 qytetarë nga komuna e Gjilanit. Aktualisht janë 243 raste aktive.

Në mbrëmjen e 28 marsit, në Kosovë arritën dozat e para të vaksinës kundër koronavirusit. Bëhet fjalë për 24.000 doza të vaksinës së prodhuar nga AstraZeneca, të cilat Kosova i ka pranuar nga programi COVAX i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Shkrimi i plotë i Hazirit në Facebook:

Gjilani prej sot mbetet pa asnjë vaksinë, pasi numri i personave të vaksinuar kundër #COVID19 është 1377. Janë vaksinuar mantelbardhët, dhe grupmoshat 85, 80 dhe 75 plus. Lajmi i mirë është se asnjë i vaksinuar nuk është përballur me probleme.

Ndërkohë, në dhjetëditëshin e fundit situata me COVID-19 në Gjilan është dukshëm me qetë pasi mbi 700 raste aktive para pak javësh, numri bie në 243, derisa nga afro 75 vizita shtëpiake nga ekipet e shëndetësisë primare, numri është ul në 30. Apeloj që edhe më tutje t’iu përmbaheni rekomandimeve, maska, distanca sociale dhe larja e duarve.

Pasqyra e përgjithshme në Gjilan që prej fillimit të pandemisë është si vijon: nga 20274 mostra, 6274 kanë rezultuar pozitivë, 5892 janë shëruar, 139 qytetarë e kanë humbur betejën me virusin, 243 raste janë aktive, të hospitalizuar me COVID janë 43 dhe 123 mostra në pritje për rezultat.