Hazardi synon kthimin në ndeshjen kundër Villarrealit

Një lëndim në kofshën e këmbës së djathtë e ka lënë Eden Hazardin ende në pritje të debutimit me Real Madridin në La Liga. Megjithatë, belgu mund ta bëjë debutimin e tij të dielën, në ndeshjen kundër Villarrealit.

Eden Hazardi kishte deklaruar disa herë në të kaluarën se e ka ëndërr të luajë për Real Madridin në La Liga. Ai kishte shpresuar se ëndrra do t’i bëhej realitet më shpejt sesa që po i bëhet, pas transferimit nga Chelsea këtë verë.

Mirëpo, Marca tani raporton se sulmues belg është duke e shtyrë veten për t’u kthyer në kohë për përballjen e Real Madridit me Villarrealin, në “Estadio de la Ceramica”, vetëm dy javë pasi e pësoi lëndimin.

Në anën tjetër, stafi mjekësor i Real Madridit ka vendosur të tregohet i durueshëm dhe të presë sado që të ketë nevojë në mënyrë që Hazardi të jetë 100 për qind i rikuperuar para se të kthehet në fushën e blertë.

Ndërkohë, në ekipin kombëtar të Belgjikës, stafi teknik janë optimistë se do ta kenë yllin e skuadrës së tyre në dispozicion për ndeshjet kundër San Marinos dhe Skocisë më 6 dhe 9 shtator.

“Unë ndihem optimist për të sepse ai dëshiron gjithmonë të luaj”, u shpreh trajneri i Belgjikës, Roberto Martinez, në një intervistë të dhënë për Niewusblad.

“Ai në përgjithësi rikuperohet mirë dhe shpejt nga lëndimet. Nëse ai luan kundër Villarrealit atëherë do të llogarisim në të”.

Martinez pritet ta publikojë listën e lojtarëve të ftuar për dy ndeshjet e radhës të Belgjikës të premten.