Hazard e pranon që ka qenë tifoz i rivalit të Chelseat

Ish ylli i Chelsea-t Eden Hazard e ka pranuar se ka qenë tifoz i Arsenalit në të kaluarën, për shkak të lojtarëve francez që kanë luajtur aty, raporton “talkSPORT”.

Belgu ishte pjesë e Chelsea-t për shtatë sezone, ku arriti të fitojë dy Premier Liga, dy Liga të Evropës, FA Cup dhe Kupën e Ligës angleze, para se të siguroj një transferim tek skuadra e Real Madridit.

Por nuk ishin “Blutë” skuadra që Hazard kishte përkrahur në të kaluarën. Ai ka qenë tifoz i rivalëve të Chelsea-t, skuadrës londineze Arsenal.

“Kur isha i vogël, ekipi që e shikoja më shumë ishte Kombëtarja e Francës”, tha Hazard për “On The Front Foot”.

“Për mua, lojtarët që i kam përcjellur më së shumti ishin Zinedine Zidane dhe Thierry Henry, dhe është e vështirë për mua për shkak të lidhjes që kam me Chelsean, ta pranoj që në atë kohë, më pëlqente shumë skuadra e Arsenalit”, shtoi përfaqësuesi i Kombëtares së Belgjikës.

Që nga transferimi i tij tek Real Madridi, Hazard nuk është duke kaluar nëpër një formë të mirë, ku vazhdimisht është duke pësuar lëndime, dhe para ca ditësh qarkulluan disa spekulime se ai mund të rikthehet në Premier Ligë tek skuadra e Chelseat.