Hazard do të transferohet te Real Madridi për 100 milionë euro

Eden Hazard do të jetë blerja e tretë e Real Madridit për sezonin 2019-2020 pas Rodrygos dhe Militaos. Sikurse raporton e përditshmja “Marca”, marrëveshja me futbollistin belg do të zyrtarizohet në ditët në vijim.

Mes palëve ka një marrëveshje të avancuar, e përpiluar pas shumë muajsh bisedime intensive. Po sipas kësaj gazete prestigjioze, Chelsea do të përfitojë rreth 100 milionë euro nga ky transferim.

28-vjeçari mësohet se ka refuzuar tri ofertë të drejtuesve të “bluve të Londrës” për rinovimin e kontratës, pasi dëshironte me çdo kusht t’i bashkohej Real Madridit, nën urdhrat e Zinedine Zidane.

Deri në mbyllje të sezonit Hazard ka premtuar se do të bëjë të pamundurën për të dhënë kontributin e tij në arritjen e objektivit të mbetur: kualifikimit në Champions nëpërmjet Premier Leagues dhe fitimit të Europa League-s (gjithashtu do t’i siguronte Chelseait pjesëmarrjen në Champions sezonin e ardhshëm).