Ylli i Chelseat, Eden Hazard e ka pranuar se ekziston mundësia që ai të largohet nga “Stamford Bridge” në fund të këtij sezoni, derisa Real Madridi ka qenë vazhdimisht i interesuar për shërbimet e anësorit belg.

Hazard që po zhvillon edicionin e tij të 7-të te “The Blues” ka kontratë me klubin londinez deri në vitin 2020.

“Për momentin do të qëndroj te Chelsea. Do ta kem edhe një vit në kontratë qershorin e ardhshëm. Nëse nuk e vazhdoj, është një mundësi që të largohem. Në janar nuk largohem, nuk mund të ia bëjë këtë klubit dhe tifozëve. Vera e ardhshme nuk përjashtohet si mundësi, por njëkohësisht një tjetër alternativë është që ta përmbyllë karrierën te Chelsea”, u shpreh Hazard për Canal+.

Ish anëtari i Lille zbuloi se kishte pasur kontakte në të kaluarën me Paris Saint Germanin por 27 vjeçari theksoi se nuk u josh nga ajo ofertë, teksa insistoi se nëse do të ishte rikthyer në Francë do ta bënte vetëm për Lillen.