Haxhiu: S’bashkëpunojmë me klubin e stërvjetruar, i mundshëm koalicioni me Vjosa Osmanin

Ish-ministrja e Drejtësisë dhe anëtarja e Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka treguar se me cilat parti politike mund të formojnë koalicion në zgjedhjet e ardhshme.

Ajo, në një intervistë  për klankosova, ka thënë se ish-Qeveria Kurti kishte punuar në të mirë dhe për interesat e kosovarëve.

Haxhiu ka deklaruar se Kosova ka një përfaqësim jo dinjitoz në dialogun me Serbinë duke thënë se më shumë ishte temë brenda këtij procesi se sa palë.

“Kështu ndodhi edhe në Washington, më 4 shtator, ku Kosova dha krejt çka iu kërkua, duke filluar këtu me heqjen dorë fillimisht nga reciprociteti si element i shtetit e pastaj nga krejt shtetësia për 1 vjet, e tutje me ndarjen e Ujmanit, përfshirjen e Kosovës në projektin e Serbisë për zonën e Novi Sadit, garantimit dalje në detin Adriatik Serbisë, e deri te barazvlerësimi i të pagjeturve shqiptarë nga lufta me të shpërngulurit serbë nga paslufta. Në anën tjetër nuk morri asgjë çka duhej, ose çka kërkonte, pra njohjen nga Serbia. Për më tepër nuk ka marrë asgjë as nga çka iu ishte premtuar, pra investimet miliardshe e njohjen nga Izraeli. Përfundimisht, një dështim i madh politik e diplomatik”, ka thënë Haxhiu për klankosova.tv.

Sipas saj, LVV-ja do të punojë me administratën e Joe Biden, si dhe me Qeverinë e Izraelit.

Haxhiu, gjithashtu, ka deklaruar se ish-Qeverinë Hoti nuk e ka marrë askush seriozisht, duke thënë se “doli që kjo qeveri nuk ka ekzistuar fare”.

“Juridikisht ajo ka qenë inekzistente, sepse është formuar në mënyrë jokushtetuese. Pra, ne kemi humbur gjashtë muaj kot, me një qeveri koti, në kohë kritike e me kriza të shumëfishta. Prandaj, zgjedhjet duhet të mbahen në datën më të hershme të mundshme, ashtu që sa më parë të kemi një qeveri të re, me legjitimitet dhe të udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Albin Kurti si kryeministër i saj”.

“Lëvizja Vetëvendosje tashmë është subjekti më i madh në vend, jo vetëm sepse është e para në raport me subjektet tjera, siç ka qenë edhe në dy palë zgjedhjet e fundit, por sepse kësaj here është shumë më përpara se të gjitha subjektet tjera. Koalicionet në anën tjetër bëhen ose që të fitohet gara elektorale, ose që pas zgjedhjeve të mund të formohet një shumicë parlamentare që pastaj formon qeverinë. Në këto zgjedhje, as njëra e as tjetra nuk do të jetë të diskutueshme. Lëvizja Vetëvendosje do të dalë edhe e para, por edhe do të jetë shumicë parlamentare për ta formuar qeverinë. Në këtë drejtim, Lëvizja mund të bashkëpunojë me forca politike për të cilat ka preferencë të hapur, sikurse me zonjën [Vjosa] Osmani. Për subjektet e klubit të stërvjetëruar politik as që bëhet fjalë në diskutimet tona. Në fund të fundit, ky është edhe verdikti i qytetarëve për ta”, u shpreh Haxhiu.