Debat

Haxhiu polemizon me Kica-Xhelilin pasi i tha “s’keni përkrahje ndërkombëtare”: E kemi besimin e qytetarëve

Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili dhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kanë polemizuar sot në Kuvendin e Kosovës për reformën në drejtësi që po synon ta bëjë Qeveria Kurti.

Kica Xhelili ka pasur kritika dhe e ka konsideruar Vettingun si një proces të dështuar, duke thënë se është amputuar nga Komisioni i Venecias.

Deputetja e LDK-së ka thënë gjithashtu se ministrja e Drejtësisë në këto procese nuk e ka përkrahjen e ndërkombëtarëve.

Lidhur me komentet e bëra nga deputetja Kica-Xhelili ka replikuar ministrja Haxhiu. Ajo ka thënë se shpreson që konstatimi i deputetes së LDK-së për dështimin e reformës në drejtësi të jetë shqetësim dhe jo dëshirë e vetë deputetes.

Derisa sa i përket asaj se Qeveria s’e ka përkrahjen e ndërkombëtarëve për procesin e reformës në Drejtësi dhe Vettingut, Haxhiu ka thënë se e rëndësishme është përkrahja qytetare.

“Tha që s’e keni besimin e partnerëve, apo nuk e keni pasur. Për mua është e rëndësishme që ta kemi besimin e qytetarëve të Kosovës. Ne kemi pasur përkrahjen e qytetarëve për ta bërë Vettingun në sistemin e drejtësisë, për mua kjo është e rëndësishme. Ndërsa me partnerët ndërkombëtar, me shoqërinë civile mund të kemi në vazhdimësi diskutime për t’u përballur me argumente. Partnerët kanë thënë që Kosova s’duhet të ketë Vetting dhe kanë thënë se Kosova duhet të forcojë mekanizmat e brendshëm të vettingut”, ka thënë Haxhiu.